Ishte Nejmari heroi i “Old Trafordit”, PSG jo më kot është nënkampion Europe!

Francezët ishin me shpatulla pas murit, dhe mund të eleminoheshin në grup për herë të parë që kur aksionet u blenë nga sheikët e Katarit. Pritej si një “funeral” i Paris SG sfida e Championsit në “Teatrin e Ëndrrave”, por këtë herë u mbajt zi për vendasit. Edhe pse me probleme shumë të mëdha, me përçarje në skuadër, me trajnerin Tuhel me valixhet gati për të ikur, me Mbapenë dhe Nejmarin të pasigurt për të ardhmen, me 3 humbje në kampionat dhe me 2 humbje në Europë, sërish kampionët e Francës reaguan madhërisht.

Fitore 3-1 dhe kualifikim thuajse i siguruar, përderisa ndeshjen e fundit e kanë me Istanbul Bashaksehirsporin në Paris. Nejmar ishte heroi i madh me dy gola, ndërsa në fushë ishte edhe Mbape. Braziliani kaloi në epërsi miqtë, por Mançester Junajtid barazoi falë Markus Rashfordit. Gjithsesi, talenti bëri të vetën dhe Markinjos shënoi golin e dytë, ndërsa Fred doli me të drejtë me të kuq jashtë për Junajtidin. Kjo i hapi rrugën parizienëve që shënuan edhe golin e tretë me Nejmarin. Anglezët, gjithsesi, vazhdojnë të kenë shpresë, edhe pse u duhej vetëm 1 pikë për t’u kualifikuar. Nëse barazojnë në Gjermani me Lajpcigun në javën e fundit në 8 dhjetor, kalojnë turin.

Sfidanti.al