Ibra bën Milanin të fluturojë, por Pioli tremb tifozët!

Ishte Zllatani i kohëve të vjetra, njeriu që ka “mallkuar” Mançester Junajtidin e ka “bekuar” Milanin. Me dy golat në portën e Bolonjës, legjenda suedeze bëri që Milani ta niste me fitore sezonin e ri të Serisë A, veçse trajneri Stefano Pioli mendoi që t’i shqetësonte jo pak tifozët kuqezinj. “Kemi shumë cilësi, por kemi nevojë për përforcime, – tha ai pas fitores 2-0, – kam folur me klubin dhe drejtuesit janë dakord me mua”. Deri në mbyllje të “dritares” së transferimeve mbeten edhe pak ditë e ndoshta tek Milani po mendojnë diçka. Gjithsesi, për momentin tifozët le të thërrasin “rroftë Ibra”. Ai ka 10 gola në 12 ndeshjet e fundit për milanezët duke i bërë të paktën pretendentë për kualifikim në Champions, pse jo edhe pretendentë për titull. Në Itali parashikimet janë që Juventusi do të sfidohet fort nga Interi dhe Milani këtë vit. “Jam i paoksidueshëm, nuk plakem kurrë”, – tha Ibra, me mënyrën e tij që nuk e njeh modestinë. Gjithsesi, trajneri i Bolonjës, Mihajloviç pati një mendim pak më të ndryshëm. “Përveç Ibrës, ndeshjen e vendosi Donaruma, – tha Sinisha, – ne krijuam më shumë raste sesa Milani, por Zllatani shënoi dy gola. Mallkuar qofsha që e aktivizova së pari Xhixhon (me shaka), ndaj meje gjithnjë ka bërë mrekulli”.

Sfidanti.al