Fitore 3-1 në fushën e “Ujqërve”; jo Liverpul, Siti nuk do të dorëzohet!

Dështimi në Champions ishte tepër i rëndë, thuajse një goditje çarmatosëse, por jeta duhet të vazhdojë. Pep Guardiola ka aq përvojë sa t’i lerë pas këto disfata, dhe yjet e tij iu përgjigjën me të nisur Premier Liga e re. Mançester Siti fitoi 3-1 në një fushë të vështirë, në atë të Uolvesit, duke iu përgjigjur ritmit të Liverpulit e duke i dhënë shpresë atyre që duan të shohin një kampionat të fortë. Lioni u la pas, po ashtu mungesa e Sergio Agueros apo shpresa e humbur për të pasur Lionel Mesin. Kevin De Brujn shënoi me penallti dhe Fil Foden dyfishoi shifrat që në pjesën e parë, por nervat u ngritën kur Uolvesit u përgjigj me Raul Himenezin në 78’.

Nuk qe e lehtë, por ish-kampionët rezistuan derisa Gabriel Zhezus realizoi për 3-1 në minutën e 5-të shtesë. Kevin De Brujni u quajt arkitekti i fitores. “Fitorja ishte shumë e rëndësishme dhe unë kisha besim plotësisht tek lojtarët e mi, – tha Pepi, – nuk është e lehtë të fitosh në këtë stadium, por ne nuk do të dorëzohemi. Do të luftojmë për titull. Çdo dështim na bën më të fortë”. Gjithsesi, fati i keq ka goditur sepse Siti ka 3 lojtarë pozitivë me koronavirus, Mahrez, Laporte dhe Gyndogan, mungesa të rëndësishme. Për më tepër, ish-mbrojtësi i Sitit, Riçards, sot analist televiziv, kritikoi Guardiolën duke thënë se “unë nuk besoj se ai e di se kush është katërshja e duhur e mbrojtjes”.

Sfidanti.al