Ëndrra e dytë e Manajt tek Barcelona, mund të luajë në Champions!

Pati fatin të stërvitej me legjendat, por mund të ketë edhe më shumë. Rej Manaj erdhi tek Barcelona në një moment të tillë, kur fare mirë mund të realizojë ëndrrën, pra të luajë me fanelën “blaugrana” për ekipin e parë të udhëhequr nga Lionel Mesi. Mediat në Katalonjë informojnë se trajneri Kike Setien vendosi ta ketë sulmuesin shqiptar në ekipin e regjistruar për fazën e dytë të Championsit. Dëmtimi i Luis Suarezit bëri që Setien të ketë edhe Manajn, ndërsa në listë janë edhe lojtarë të tjerë si Kike Saverio dhe Sergio Akieme.

Manaj, ndërkaq, ka dy ndeshje që luan për Barcelonën B, në ligën e tretë spanjolle, pasi pranoi transferimin në janar që nga Albasete. Ai sakrifikoi një kategori për të pasur mundësi të luante me Barçën, dhe në ndeshjen e dytë në radhët e ekipit B, shënoi edhe golin e parë. Kjo në sfidën në fushën e Pratit, fituar 2-1 nga katalanasit, ndërsa futbollisti 22-vjeçar goditi edhe traun e portës kundërshtare.

Gjithsesi, ndeshja u mbyll keq për të, pasi u përjashtua nga loja me karton të kuq, dhe gjithçka ndodhi në 45 minutat e para. Nëse do të arrijë të grumbullohet në Champions, Manaj mund të ketë një derbi shqiptarësh me kapitenin e kombëtares, Elseid Hysajn, pasi Barcelona ndeshet me Napolin në turin e dytë, në duel për një vend në çerekfinale.

Sfidanti.al