Champions, më në fund Guardiola dhe … Granit Xhaka!

Më në fund! Pep Guardiola “nuk festoi”, por gjithsesi duhet të jetë ndjerë njeriu më i lumtur në botës që hoqi makthin “Barcelonë”. Pasi u eleminua kur ishte trajner i Bajernit, dhe u turpërua dy javë më parë me një “0-4” në “Kamp Nou”, realizoi revanshin personal në stadiumin “Etihad”. Mançester Siti fitoi me përmbysje 3-1 dhe tani është vetëm 2 pikë larg ish-kampionëve të Europës. Pati vërtet emocione të forta Championsi!

Të mendosh se ndeshja nisi sipas “avazit” të zakonshëm, Siti kërkoi më kot penallti, dhe Mesi shënoi në krahun tjetër. Veçse, pasi Ilkai Gyndogan barazoi në 39’, katalanasit nuk e përballuan dot kundërshtarin në pjesën e dytë. De Brujn dhe sërish Gyndogan shënuan në 51’ e 74’. Në këtë grup, Borusia e Mynshengladbahut dhe Sëlltiku barazuan 1-1 dhe Barça e Siti janë tashmë të shkëputur.

Më në fund Guardiola, por më në fund Granit Xhaka. Shqiptari i Zvicrës i dha “zjarr barutit” të Arsenalit që përmbysi rezultatin në Bullgari. Nga 0-2 shkoi 3-2 kundër Ludogorecit, me Xhakën që shënoi rrjetën e parë, pastaj menduan Zhiru dhe Ozil. Më pak fat vëllai i Granitit, Taulant Xhaka i Shqipërisë. Ai ishte titullar në përballjen në Bazel kundër Paris SG, që përfundoi 2-1 për kampionët e Francës.

Në grupin D, rezultate identike, por në sens të kundërt. Atletiko fitoi 2-1 në Madrid ndaj Rostovit (Grizman 2), ndërsa Bajerni triumfoi 2-1 në Holandë ndaj PSV Ajndhovenit (Levandovski 2).

Grupi A: Ludogorec-Arsenal 2-3, Bazel-Paris SG 1-2. Arsenal 7, PSG 7, Bazel 1, Ludogorec 1.

Grupi B: Benfika-Dinamo K. 1-0, Beshiktash-Napoli 1-1. Napoli 7, Benfika 7, Beshiktash 6, Dinamo K. 1.

Grupi C: Mançester Siti-Barcelona 3-1, Borusia M.-Sëlltik 1-1. Barcelona 9, Man. Siti 7, Borusia M. 4, Sëlltik 1.

Grupi D: Atletiko M.-Rostov 2-1, PSV-Bajern 1-2. Atletiko 12, Bajern 9, PSV 1, Rostov 1.

B. Kuka