Çfarë prapaskenash për kalimin e Levandovskit tek Bajerni!

“Sa të thella paskan qenë këto punë”, do të thoshte mamaja e Elsës, në komedinë shqiptare “Pallati 176”. Edhe lexuesit dhe admiruesit e futbollit do të shpreheshin pikë për pikë kështu, pasi të merrnin vesh historinë e ndërlikuar sesi u transferuar Robert Levandovski tek Bajerni i Mynihut. Me gjasë shumëkush e ka bërë, sepse versioni i ish-agjentit të sulmuesit polak u publikua në median polake, “futbolovnia”.

Cezari Kuharski tregoi se fillimisht pati një marrëveshje që Leva të shkonte tek Reali, dhe vetë lojtari e pëlqente një gjë të tillë. Gjithsesi, Kuharski e bindi se nuk do të ishte mirë që të shkonte në Madrid si zëvendësues i Karim Benzemasë, në një kohë që Uli Hënes dhe Rumenige i premtuan fanelën me numrin 9 në Mynih. Kjo ishte gjëja kryesore që ndikoi që Levandovski të zgjidhte bavarezët, por intrigat nuk kishin përfunduar ende.

Dortmundi donte me patjetër që polaku të shkonte tek Reali, pasi nuk donte të forconte një rival direkt si Bajerni, ndërsa kontrata përfundonte dhe sulmuesi do të largohej me koston zero. Erdhi ndeshja e Championsit në 2013, gjysmëfinalja Borusia-Real (4-1), ku Levandovski shënoi 4 gola. Florentino Perez këmbënguli sërish për lojtarin, ndërsa Kuharsi theksoi se ishte arritur një marrëveshje me Bajernin, por se pati bisedime të reja.

“Doja rrogë më të lartë për lojtarin, – tha ai, – dhe Uli Hënes i vuri kapak. Nga drejtuesit bavarezë pati fjalë të pakëndshme, por Hënesi i mori veçmas dhe i bindi ta rrisnin akordin me 25 milionë euro të tjera”. “Martesë e lumtur”, pasi Levandovski ka shënuar deri tani 158 gola në 187 ndeshje të Bundesligës për Bajernin, si dhe 47 gola në 58 ndeshje në Champions.

Sfidanti.al