Bavarezë, tani jeni kokë më kokë me Çelsin, jo me njëri-tjetrin!

Bëri shumë bujë lajmi i shoqëruar me foto për përplasjen gati fizike mes Xhoshua Kimihut dhe Zherom Boatengut, veçse tek Bajerni tani duhet të mendojnë për kacafytjen europiane. Shorti i Championsit, do të thotë se kampionët e Gjermanisë do të ndeshen me Çelsin, një rival jo edhe aq i lehtë, pavarësisht se nuk do të mund të quhet favorit. Blutë e Londrës e eleminuan Bajernin në kohën e Murinjos (2005), dhe po ashtu e mundën në finalen e Championsit në Mynih në 2012. Për më tepër, flitet për ekip anglez, pra tepër të fortë fizikisht, që luan shpejt në tokë dhe në ajër, dhe që vjen nga konkurrenca e ashpër e Premier Ligës.

Gjithsesi, Bajerni duhet të jetë favorit, me kusht që të mos ketë tensione të brendshme. Përplasja mes Kimihut dhe Boatengun nuk u duk se prishi shumë punë ndaj Verderit, pasi kampionët fituan 6-1. Protagonistët nuk deshën të flisnin më pas, veçse u kuptua se Kimih ishte i pakënaqur me mënyrën sesi po luante mbrojtësi i qendrës. Gazetat gjermane e kritikuan 24-vjeçarin duke i kujtuar trofetë e mëdhenj të fituar nga Boatengu, e duke e ftuar të tregonte më shumë respekt. Duket, veçse, që Kimih është tepër gjaknxehtë dhe ambicia e tij i kalon kufijtë e fushës, aq sa u detyrua të bënte disa herë fjalë me një djalë që mblidhte topat, që të vepronte më shpejt.

Sfidanti.al