Bajern, ja pra që nuk do të jetë e lehtë ta fitosh titullin!

“Nuk ka asnjë diskutim, unë duhej të kisha shënuar”. Këto ishin fjalët e Timo Vernerit, që u pyet pas ndeshjes për rastin e artë që nuk e ktheu dot në gol ndaj Bajernit. Sulmuesi i Lajpcigut kishte mundësinë më të mirë të ndeshjes, por nuk arriti të realizonte, e gjithsesi kushdo në Gjermani e kuptoi se bavarezët nuk do ta kenë të lehtë këtë vit. Ishte minuta e 63-të, dhe 23-vjeçari pati rastin vetëm për vetëm me Nojerin, ndërsa ishte nën shikimin e trajnerit të kombëtares, Joakim Lëv.

Lajpcigu u duk me më shumë besim pas pushimit, ndonëse Bajerni dominoi zotërimin e topit. “Në pjesën e parë ne ishim të druajtur dhe nëse do të kishim vazhduar ashtu, do të kishim pësuar gol, – vazhdon Verneri, – por, pastaj trajneri na foli në pushim dhe ne reaguam. Kemi pasur ndeshje të vështira së fundmi, dhe nuk ka qenë e lehtë pas humbjes me Frankfurtin në Kupë dhe barazimin 2-2 me Gladbahun”.

Dakord, Lajpcigu vuajti mungesën e përvojës, por Bajerni çfarë problemi pati? “Ne nuk kemi më vullnetin absolut për të fituar, – ishte diagnoza e Tomas Mylerit për ekipin që ka dalë 7 herë radhazi kampion i Gjermanisë, – ne luftuam shumë, por nuk bëmë dot asgjë. Nuk jam i kënaqur as me rezultatin dhe as me lojën tonë. Nuk e bëmë dot tonën këtë ndeshje”. Bajerni kryeson Bundesligën me 43 pikë, ndaj 42 të Lajpcigut, e 39 të Dortmundit e Gladbahut.

Sfidanti.al