Seria A në fije të perit, pritet ndërprerja nga frika e koronavirusit!

Do të luhet, por pozicionet janë të ndryshme. Në Itali ka polemika të forta për vazhdimin e Serisë A pas përhapjes së gjerë të epidemisë së koronavirusit, dhe ndeshja Parma-Spal rrezikoi të mos luhej. U shty për 45 minuta, dhe pas diskutimeve mes palëve të interesuara u vendos që të zhvillohej. Siç informon “La Gazeta delo Sport”, qeveria ngulmon për të ndërprerë kampionatin, Federata Italiane e Futbollit është në favor të kësaj mase, por Liga e Futbollit kërkon qartësi, pra kërkon që të jenë autoritetet shtetërore që të japin vendimin përfundimtar për t’u luajtur apo jo.

Lojtarët, ndërkaq, janë gati të hidhen në grevë. Presidenti i shoatës së futbollistëve profesionistë, Damiano Tomazi, ngulmon prej ditësh që Seria A të mos luhet deri në ndryshimin e situatës. Gjithsesi, për momentin, është vendosur që të luhet të paktën për këtë javë, përfshi edhe ndeshjen kryesore, Juventus-Inter, që të gjitha pa tifozë.

Më pas, do të diskutohet përsëri dhe ekziston mundësia që vërtet kampionati të ndërpritet. Meqë është luajtur shumica, ekziston edhe varianti i mbështetur edhe në rregullat e UEFA-s, që të mbyllet sezoni dhe të shpallet kampione skuadra e vendit të parë, që mund të jetë Lacio ose Juventusi, nëse fiton sonte ndaj Interit. Situata, ndërkaq, është alarmante, sidomos në Lombardi, e në kryeqendrën e saj, Milano, nga ku banorët po largohen për t’iu shmangur rrezikur të epidemisë së koronavirusit.

Sfidanti.al