Ky hap fals nuk pritej, por ja që ndodhi. Qenka e pashmangshme për Teutën që të gabojë ndaj dy ekipeve të fundit të renditjes së Superligës, dhe pas barazimit në Gjirokastër ndaj Luftëtarit, ja ku erdhi edhe ndalesa ndaj Flamurtarit. Sërish barazim, me shifrat 1-1, por më e keqja ishte se ndodhi në Durrës dhe në momentin që dukej më I miri për skuadrën e trajnerit Edi Martini. Vlonjatët, madje, kaluan të parët në avantazh dhe kërcënuan disa herë seriozisht portën vendase. U desh fati dhe forma shumë e mirë e portierit Stivi Frashëri që të mos pësohej humbje, ose që të paktën të mos pësoheshin më shumë gola.
Përse kështu për një ekip të aftë për të mundur Partizanin në kryeqytet dhe për të ndalur Kukësin? Me gjasë, një nënvleftësim, por edhe mungesë përvoje për një ekip dhe lojtarë që nuk janë mësuar të luajnë për objektiva të tillë. Barazimi erdhi pas pushimit, falë një 11-metërshi të dhënë mes protestave të Flamurtarit. Fati u duk kundër edhe këtu, por për fat gabimin e Kallakut e shleu Çyrbja. Me 40 pikë në renditje, Teuta I lejoi vetes që t’i japë mundësi Partizanit e Skënderbeut që ta kalojnë në renditje. E diela ishte dita e ekipeve të fundit të renditjes, pasi edhe Luftëtari arriti një rezultat pozitiv, edhe pse nuk është se I hyn në punë. Barazoi 1-1 në Gjirokastër ndaj Bylisit, dhe për mallakastriotët viti 2020 vazhdon të jetë negativ, duke I zbritut në vendin e 7-të nga 10 ekipe gjithsej në Superligë.