Kur në fushë del ai, fitorja duket e arritur. i tillë ka qenë gjithnjë Diego Armando Maradona, i tillë shfaqet edhe sot kur për pak mbush 60 vjeç. Legjenda e futbollit sikur i solli fat Boka Juniorsit për ta ndihmuar që të shpallej kampione e Argjentinës, edhe pse heroi i sotëm, Karlos Tevez, deshi të sigurohej plotësisht për fatin.
Për këtë arsye, ai i dha Diegos një puthje përpara fillimit, dhe mediat nuk ngurruan ta quanin “Puthja e Zotit”, një krahasim me “Dorën e Zotit” në rastin e golit me dorë të Maradonës ndaj Anglisë në Botërorin 1986 në Meksikë.
Gjithsesi, gati vonoi në stadiumin “La Bombonera”, ndërsa Bokës i duhej fitorja në javën e fundit të kampionatit, por i duhej edhe që River Plejti të mos ia dilte në fushën e Atletikos së Tukumanit. Fillimisht, Atletiko i dha një dorë verdhebluve duke kaluar në avantazh në minutën e 19-të me golin e shënuar nga Havier Toledo. Shumë shpejt, Riveri reagoi dhe barazoi falë rrjetës së Matias Suarezit. Titulli u duk se po shkonte atje ku pritej, në selinë e Riverit, ekipit më të fortë të Argjentinës, dhe favoritit të turneut.
Mos vallë Maradona dhe legjenda tjetër Rikelme do të përfundonin të zhgënjyer? Këtë nuk e lejoi Karlos Tevez, numri 10 i Bokës, që shënoi golin e fitores në minutën e 72-të. Kjo bëri që të shpërthente festa në “La Bombonera”, një festë që vetëm në Argjentinë dinë ta bëjnë. Në të kundërt, heshtje vdekjeje në stadiumin tjetër, për futbollistët e River Plejtit dhe trajnerin e tyre, Marselo Gajardo.
Në Buenos Aires, ndërkaq, entuziazmi ishte i papërshkrueshëm, nga dhjetëra mijë tifozë, me fjalët mrekulli dhe kampion që nuk reshtnin. U desh të pritej gjatë që të intervistohej heroi Karlos Tevez. Në moshën 36-vjeçare shtoi edhe një triumf në karrierën e tij të lavdishme, pasi u shpall 3 herë kampion në Angli, dy herë në Itali, pasi fitoi Championsin në Europë dhe Kupën Libertadores, ndërsa ky ishte titulli i 5-të i tij në Argjentinë.
“Kjo gjë nuk mund të përsëritet, – gjeti ai fuqinë për të folur, – nuk ka krahasim. Ky është emocioni më i madh që kam provuar ndonjëherë në futboll. Nuk mendoj se ishte mrekulli, ne luftuam deri në fund. Mendoj se ishim rival i denjë dhe në fund ia dolëm”. Ky ishte titulli i 34-ët për Boka Juniorsit, që është tani vetëm 2 tituj larg rekordit të River Plejtit me 36.
Sfidanti.al