Xhepa bosh dhe përçmim i historisë, ja si pritet të fillojë “Bundesliga” jonë

Ky që pritet të fillojë në Shqipëri do të jetë futbolli më i çuditshëm dhe kjo jo sepse do të vuajë nga sindroma e Bundesligës, pra mungesa e tifozëve. Ne na është mësuar tashmë syri me shkallët e zbrazura të stadiumeve, saqë çdo vit presim ndonjë derbi për t’u ndjerë pak më europian, por ajo që nuk e riparojmë dot është fakti, se na mbarojnë shumë shpejtë paratë. Pikërisht kjo ishte arsyeja që pothuajse të gjitha klubet e Superiores ishin kundër rifillimit, përveç presidentit Duka që i nxiste për të kundërtën, kuptohet edhe ai për aryet e veta. Drejtuesit e Flamurtarit pothuajse e konsideruan çnjerëzore që futbollistët t’i ktheheshin fushës, megjithëse në Vlorë kanë kohë që kanë hequr dorë nga skuadra e tanishme, madje edhe nga historia e saj e dikurshme. Sipas administratorit, kampionati duhej mbyllur, ndërsa Flamurtari e ka merituar tashmë të zbresë një kategori më poshtë. Ndërsa kryetari i Bashkisë as që ka ndërmend të ndërhyjë në këtë tentativë për ta shkatërruar atë krenari të qytetit, që për të ndërtuar një emër të madh, iu desh një sakrificë brezash. Eshtë e vërtetë që Flamurtari i tanishëm do të zbriste gjithsesi nga Superioria, pavarësisht se sa do të zgjaste pandemia shqiptare, siç është e vërtetë se për gati dy vjet, kënaqësia e vetme që kanë shijuar futbollistët e trajnerët e tyre ka qenë paga e luftës e shpërndarë nga Federata.

Ndërkohë që në Shkodër po përjetojnë një situatë identike dhe në këtë rast flitet për Vllazninë, skuadra që e ka të ngjashme me Flamurtarin historinë e fushë. Futbollistët po kërkojnë me këmbëngulje pagat e prapambetura, në të kundërt kërcënojnë se do të futen përsëri në karantinë, ndërsa në Bashkinë e Shkodrës janë ndarë në llogore politike dhe palët qëllojnë me akuza njëri-tjetrin. Lojtarët duket se nuk kanë më ndërmend tëp resin në këtë periudhë të vështirë për të jetuar dhe I kanë kërkuar trajnerit që tani të fillojë të luajë rolin e prindit për të negociuar. Dhe Mirsad Jonuz nuk ka humbur kohë dhe menjëherë pas mbëritjes nga Maqedonia është bashkuar me grupin, duke thënë se nuk do të karantinohet sipas ligjit, pasi ka marrë leje në OSBE, një organizatë ndërkombëtare që monitoron zgjedhjet. Pikërisht në këtë terren do të fillojë edhe “Bundesliga” jonë që në fakt prej vitesh ka nevojë për një tjetër protokoll, jo këtë provizorin për t’u mbrojtur nga Covidi.