Spanja e Iskos, leksion çarmatosës Italisë, kthehet “tiki taka” iberike!

Nuk ka barazi në grupin tonë eleminator. Spanja, e detyruar ta pranonte derisa erdhi ndeshja në “Santiago Bernabeu”, dha përgjigjen përfundimtare me një paraqitje të jashtëzakonshme ndaj Italisë. Në atë që u quajt dhe që ishte ndeshja më e madhe e eleminatoreve të Botërorit në mënyrë absolute, rivaliteti mbeti vetëm një dëshirë e italianëve dhe e atyre që deshën të shikonin një përballje me më shumë pritshmëri dhe mister.

Ndodhi e kundërta dhe “fajtor” për këtë ishte jo thjesht Spanja si skuadër, por sidomos ylli i ri i Realit të Madridit, Isko. Talenti ofensiv mori në dorë lojën dhe e çoi aty ku deshi, ndërsa spanjollët e mbyllën 3-0 sfidën më të fortë që mund të kishin. Vetë Isko shënoi dy gola, një në minutën e 14-të dhe tjetrin në të dyzetën, por vazhdimisht krijoi rrezik për portën e Bufonit.

Italianët, pa Kielinin e dëmtuar, u përpoqën dhe patën disa mundësi, por ishin dukshëm më inferiorë. Beloti, Imobile apo Verrati nuk mjaftuan ndaj një Spanje pa thuajse asnjë të metë. Humbja ia rrezikon të paktën teorikisht vendin e dytë të kaltërve, pasi Shqipëria ndodhet vetëm 3 pikë larg, me ndeshjen direkte në “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Sa për iberikët, formacioni i trajnerit Hulen Lopetegi, e ka rikthyer sërish epokën e lavdishme kur fitoi dy herë Europianin dhe një herë Botërorin. Mbetet të shihet nëse do ta fitojnë edhe Kupën e Botës në Rusi vitin e ardhshëm.

Sfidanti.al