Shkëndija e Tetovës, pasarela për stolin vazhdon

Pas shkarkimit të trajnerit të deritanishëm të Shkëndijës së Tetovës, Bruno Akrapoviç, nëpër “korridoret” e këtij klubi tetovar, në pronësi të kompanisë së njohur shqiptare, “Ekolog”, kanë filluar të qarkullojnë emrat e mundshëm që do të zëvendësojnë trajnerin boshnjak në stolin e Shkëndijës, shkruan, sot, gazeta “Koha” që del në gjuhën shqipe në Maqedoni, duke shtuar se, kohët e fundit, në median e Shqipërisë, po përmendet ardhja në Tetovë të Mirel Josës, trajnerit të mëparshëm të Skënderbeut të Korçës. Sipas kësaj mediaje, Josa është favoriti kryesor, ndërkohë që edhe tifozët tetovarë ngulin këmbë se duan një trajnër shqiptar në Tetovë.

Sipas “Kohës”, se me të po zhvillohen bisedime, ka thënë vetëm vetë Josa, pasi nga klubi tetovar nuk ka asnjë njoftim lidhur me zhvillimin e bisedimeve të tilla. Sidoqoftë, gazeta e lartpërmendur që u referohet burimeve të mirinformuara, vë në dukje se trajneri kosovar i njohur, Bylbyl Sokoli, është kandidati kryesor për të marrë postin e trajnerit të Shkëndijës. Në rast se ndodh një gjë e tillë, kjo do të jetë hera e dytë që Sokoli do të drejtojë ekipin tetovar.

Gazeta “Koha”, gjithashtu, duke iu referuar medias sportive në Shqipëri, shkruan se në skenë kanë dalë edhe dy emra të tjerë, kandidatë për të marrë përsipër postin e trajnerit të Shkëndijës që janë ish-kapiteni i përfaqësueses së Shqipërisë, Lorik Cana, që sapo ka marrë licencën e UEFA-s B, dhe Besnik Hasi që, kohët e fundit, është shkarkuar nga posti i trajnerit të Legias së Varshavës. Sidoqoftë, vendimin përfundimtar do ta marrë, në një të ardhme të afërt, kryesia e klubit të Shkëndijës së Tetovës që, momentalisht, po drejtohet nga Jeton Beqiri.