Shaqiri ngushëllohet te xhupi i Klopit: Nuk e merituam humbjen

Xherdan Shaqiri pati dy momente kur u vendos në qendër të vëmendjes në ndeshjen ndaj Uolvesit në Kupë. Së pari, kur rrahu shtyllën nga ekzekutimi i një goditjeje dënimi, dhe së dyti kur u duk sikur u zhduk brenda xhupit të trajnerit Jurgen Klop. Shqiptari i Zvicrës komentoi për mediat pas eleminimit, se Liverpuli nuk e meritoi.

“Mendova se shënova në goditjen e dënimit, por topi nuk hyri, – tha ai, – në ndeshje të tilla duhet të kesh edhe fat, dhe ne ishim pa fat. Kjo nuk do të thotë se nuk luftuam, ishim në sulm deri në fund dhe nuk e meritonim të eleminoheshim. Ndeshja duhej të dilte në barazim, por Kupa e Anglisë kështu e ka, një humbje dhe shkon në shtëpi”.

Shaqiri shtoi se vëmendja duhet të kalojë në Premier Ligë, ku ekipi i tij është kryesues, por mediat u habitën sesi, gjatë përqafimit ngushëllues me trajnerin e tij, Klop, Shaqiri sikur u zhduk si me magji brenda xhupit të gjermanit.

Sfidanti.al