Serbia i falet lavdive të vjetra dhe të reja, Ballkani mbetet i rëndësishëm!

Gadishulli ynë mbetet i rëndësishëm. Kupa e Botës s’mund të jetë e plotë pa Ballkanin, dhe pas Kroacisë këtë e bëri të qartë edhe Serbia. Formacioni i trajnerit Krstajiç, kapiteni i së cilit Ivanoviç vendosi rekordin me 104 ndeshje, triumfoi 1-0 ndaj Kosta Rikës, një rezultat që mund e duhej të kishte qenë më i thellë. Serbët  patën më shumë qartësi dhe rrezikshmëri në aksionet e tyre, edhe pse ndeshja mund të duket e barabartë nëse lexon statistikat.

Zotërim thuajse i barabartë i topit, ndryshim i vogël në gjuatjet drejt portës, por rastet e vetme për gol thuajse i krijuan ata me fanela të bardha. Serbia ka padyshim lojtarë shumë të mirë në përbërje. Në fazën sulmuese janë Milinkoviç-Saviç, Mitroviç apo Kostiç, ndërsa në mbrojtje Ivanoviç e Kolarov. Talent dhe përvojë, me disa prej tyre që kanë luajtur, luajnë apo pritet të kalojnë në klubet më të rëndësishëm të Europës.

Nëse Serbia nuk fitoi më thellë, kjo ndodhi më së shumti për meritë të portierit kostarikan, numrit 1 të Realit të Madridit, Kejlor Navas, që ishte ndoshta lojtari më i mirë në fushë për të dyja skuadrat. Gjithsesi, Serbisë nuk iu mohua ajo që i takonte, pasi kapiteni Aleksandar Kolarov që realizoi një gol spektakolar direkt nga goditja e dënimit. Natyrisht, Serbia e di se nuk ka brezin e Kroacisë, por sidoqoftë, tradita i mëson se mund ta kalojnë fazën e grupeve, pastaj se çfarë mund të ndodhë më vonë, kjo mbetet të shihet.

Sfidanti.al