Runi barazon Sër Bobi Çarltonin në fitoren e Mançesterit!

Të na falin tifozët e Mançester Sitit (ndonëse ata lexojnë anglisht, e jo shqip), që po e quajmë Mançester Junajtidin, thjesht “Mançester”. Kjo le të ndodhë të paktën një herë. Skuadra e madhe, 20 herë kampione e Anglisë, duket se po vazhdon të ngjitet në mënyrë të pandalshme nën drejtimin e Zhoze Murinjos, ndërsa Uejn Runi mund të ndihet vërtet krenar.

“Djajtë e kuq” mundën 4-0 fare lehtë Redingun në Kupën e Anglisë, dhe Runi shënoi golin e tij numër 249 me fanelën e tyre, duke u barazuar me legjendën e klubit, Sër Bobi Çarlton, pra duke qenë bashkëmbajtës i rekordit si golshënues i Junajtidit në të gjithë historinë. Natyrisht, nuk mund të harrojmë se Uejn është një sulmues, ndërsa Sër Bobi ishte një mesfushor.

“Dita e tij më e bukur nuk ka ardhur ende, – tha Murinjo, plot besim pas ndeshjes, – por, ajo ditë do të vijë. Kushdo që e di se kush është Sër Bobi dhe se çfarë do të thotë ai në historinë e klubit, e kupton se kjo që arriti Uejni është fantastike”.Runi nuk besohet të luajë në ndeshjen e kampionatit ndaj Hull Sitit, të paktën jo si titullar, por shpresat janë që ai të paraqitet krejt ndryshe nga sa ka luajtur këtë sezon.

“Jam shumë i nderuar që jam baraz me Sër Bobin, – tha Runi, – është një moment krenar, sidomos në një klub kaq të madh si Junajtid. Jam shumë i nderuar që luaj në këtë skuadër dhe besoj se do ta kaloj rekordin”. Sër Bobi ishte në “Old Traford”, dhe duartrokiti pas rrjetës së lojtarit me numrin 10.

Suksesi ishte i 8-ti radhazi për të besuarit e Murinjos, që duken krejt të ndryshëm nga fillimi i sezonit. Runi shënoi golin e parë në 7’, pastaj Antoni Marsial në 15’, dhe dy herë Markus Rashford në minutat 75 e 79. ser-bobi-carlton