Pol Pogba është një nga lojtarët, nga të cilët pritet që ta dominojnë futbollin botëror në vitet e ardhshëm, jo vetëm për shkak të talentit të madh që ai zotëron, por edhe për shkak të predispozitave fizike që disponon dhe që e lejojnë atë të jetë një nga mesfushorët më të mirë në botë. Francezi 23-vjeçar, me formën që ka treguar në ndeshjet e fundit me bluzën e Mançester Junajtidit, u kujtoi edhe një herë tjetër tifozëve se ai, me të drejtë, konsiderohet si një nga talentët më të mëdhenj në këtë moment, ndërkohë që forma e tij e mirë, duket qartë, se i detyroi gazetarët përgjegjës të FIFA-s që t’i marrin atij një intervistë ekskluzive. Pogba, me të vertetë, dha disa përgjigje interesante, duke folur për tema të ndryshme, por, sidomos, interesant është mendimi i tij lidhur me dy futbollistët më të mirë në botë. Ylli i ManU-së u pyet që të shprehte opinionin e tij se cilët futbollistë do të mund ta ndërprisnin dominimin e Kristiano Ronaldos dhe të Lionel Mesit, kur është fjala për trofetë individualë në futboll. Pogba dha një një përgjigje interesante, duke përmendur edhe njërin nga bashkëlojtarët e tij.
“Ka futbollistë që mund ta bëjnë këtë dhe që mund t’i zëvendësojnë ata të dy (Mesin dhe Ronaldon). Në Mançester, ai është Ibrahimoviçi që, në fakt, është 35 vjeç, por, duke pasur parasysh formën dhe mënyrën e lojës e të golave që ai shënon, me siguri që ai nuk do ta ketë problem që të vazhdojë të qëndrojë në krye të futbollit botëror edhe 10 vite të tjerë! Sidoqoftë, do të doja të përmendja, gjithashtu, futbollistë të tillë, si Azari, Nejmari dhe Luis Suarezi. Këta janë futbollistë që punojnë me këmbëngulje dhe që dinë sesi të shënojnë gola. Të gjithë këta futbollistë mund t’i zëvendësojnë Mesin dhe Ronaldon në krye të futbollit botëror. E vetmja mënyrë që të arrihen Mesi dhe Ronaldo, është që lojtarët që përmenda, të shënojnë, vazhdimisht, gola dhe ata po e bëjnë këtë prej vitesh”, vuri në dukjo Pogba në intervistën e tij ekskluzive.
Sfidanti.al