Në dasmën e Tiranës erdhën edhe të paftuar..

Sikur të ishte fundi i kampionatit dhe Tirana të kishte fituar titullin duke mundur Skënderbeun, atëherë do të pagëzohej si “dasma e madhe” . Por, në një kampionat që po vuan diktaturën e Skënderbeut në këto 5 vite, një fitore ndaj tyre shkakton dehje jo vetëm për dasmorët, por edhe për krushqit e padëshiruar. Edhe Partizani, “armiku klasik” është i lumtur për triumfin e tyre ndaj kampionëve, sa harron që për shkak të inatit primitiv po luajnë në Elbasan dhe jo në “Selman Stërmasi”. Do të ishte e pavërtetë të thonim se për rënien pa shumë histori të kampionëve, festa ka mbërritur deri tek Partizani. Pothuasje të gjithë gëzojnë kur humbet Skënderbeu dhe kanë shumë arsye për t’u bashkuar në këtë përjetim.

Të lodhur me dominimin e tyre, me frikën se mos edhe ky sezon pushtohet nga korçarët, janë arsye që 3 pikët e Tiranës të festohen edhe nga të tjerët. Në Korçë mund të duket si cinizëm i kundërshtarëve, por ndër vite kështu ka ndodhur kur mundeshin ekipet që vendosnin diktaturë. Ajo që duhet t’i shqetësojë më shumë, nuk janë pikët e humbura në një sfidë morale, porse diçka që vlen më shumë. Kampionët ,ata që lodronin me topin në mesfushë, që krijonin shumë figura zbavitëse me larminë e indvidualiteteve, kanë nisur një sezon duke mbledhur pikë, me një lojë jo shumë të shëndetshme. Italiani Agostineli, një përfaqëues i denjë i shkollës italiane të pragmatizmit, është dashuruar me klasifikimin dhe jo me kasetën ku ndodhet pasuria e tyre, stili i lojës.