Nëse do të bëhej një klasifikim për trajnerin më të dashur pranë presidentëve, nuk ka dyshim se ai quhet Sulejman Starova. Edhe nofka “Bobi” është një përkedheli e merituar nga të qënurit ndryshe me kolegët e tjerë. Bile, për kujtesë, Starova ka dhënë një assist për të qënë presidenti Duka në fronin e futbollit, atëherë kur ishte sekretar i Federatës,por, disa gjëra janë të ndaluara të kujtohen. Edhe vetë “bobi” e humbet me dëshirë rastin për të treguar “gabimin e jetës”.
– Iku Sormani, erdhi Starova dhe Partizani në delir me gola dhe me lojë. Më mirë trajner apo këshilltar?
– Kur je trajner i flet në vesh futbollit, kur je këshilltari i flet presidentit..
– Kjo do të thotë se trajnerët punojnë në një tokë të minuar?
– Nuk e shikoni se çfarë ndodhë! I kishin thënë Maganit: Hajde në Vlorë se do të bëjmë një ekip për të shkuar larg! Pas disa javësh, Magani kthehet në shtëpi.
– Dikush thotë se, në futbollin e sotëm është e ndaluar të jesh i lumtur?
– Nuk e di cili e ka thënë, por më duket sikur e kam thënë edhe unë. Ta themi me zë të ulët, harruat si ika herën e fundit nga Partizani.
– Keni frikë se mos na dëgjon presidenti Gaz Demi?
– Nuk jam më këshilltari, ku edhe të punosh bukur, puna nuk matet dhe mbetet abstrakte.
– Zoti është me ju! Më parë dëgjonim tifozët që thërrisnin me ironi “këshilltari”, ndërsa në “Elbasan Arena” festa mbante emrin “bobi”?
– Është bukur të mundësh Flamurtarin me 4 gola, të përjetosh edhe aksione që ndezin fantazinë, por festa nuk zgjat shumë.
– Keni qënë shef i futbollit, drejtor teknik, kështilltar, dhe keni veshur përsëri petkun e trajnerit. Po rolin e presidentit, kur do të provosh?
– Është një rol i ndaluar për mua dhe unë nuk I qahem fatit. Nuk të thonë “bobi” nëse do të isha në fron..
– Le të hapim thesin e harresës: presidenti Duka iu largoi nga Federata, sapo shkeli zyrën ovale, ngaqë e bezdiste “bobizmi” i futbollit?
– Më mirë ta dini kështu, sepse jo gjithmonë e vërteta bën golin…