“Mirëse vjen Roma, 100 000 gladiatorë të presin në “Kamp Nou”

Kjo është një nga reklamat e vendosura në Barcelonë në pritje të ndeshjes së Ligës së Kampionëve ndaj Romës. Skuadra e Serisë A vjen në majë të gishtave në kryeqendrën katalanase, me shpresë për të mbetur në lojë për kualifikimin për në gjysmëfinale, por edhe e ndërgjegjshme sesa çfarë do të ketë përballë.

Frika më e madhe vjen padyshim nga yjet e sulmit të “blaugranëve”, Mesi-Suarez. Kjo është dyshja e momentit tek Barça dhe në kampionatin spanjoll. Mesi-Suarez do të thotë gola dhe asistë, dhe për fatin e keq të Romës, ata do të jenë së bashku që nga minuta e parë në ndeshjen e sotme në Champions. Të dy janë edhe shumë shokë, përveçse kolegë në fushë, dhe u panë duke biseduar disi fshehtazi në nisje të seancës së fundit stërvitore përpara sfidës.

Me siguri kanë diskutuar se çfarë mund të kurdisin për ta befasuar skuadrën italiane, e cila e di mirë se çfarë e pret në “Kamp Nou”. Mesi rikthehet në kohën e duhur, pasi mungoi dy miqësoret për Argjentinën, dhe pasi luajti vetëm në pjesën e dytë ndaj Seviljes në La Liga.

Sfidanti.al