Milinkoviç, asnjë premtim i mbajtur nga talenti i Gjirokastrës

Pas përfundimit të finales së Superkupës, Kukësi – Tirana, presidenti i kampionëve Safet Gjici u nervozua aq shumë, saqë shtynte njerëzit që po e vononin për të dalë nga “Selman Stërmasi”. Dhe në fakt, kishte më shumë se një arsye për ta humbur toruan. Fillimisht, arbitri Juxhin Xhaja as që i ngjante Enea Jorgjit, madje në konkluzion të 90 minutave ishte një zhgënjim më vete, ndërsa Milinkoviç nuk i mbajti premtimet, që ishin edhe arsyet që e bindën Gjicin për t’I dhënë një kontratë për të nënshkruar. Pas shkarkimit të Gjokës, i cili pas titullit kampion u gjobit me 3 mijë euro, me motivacionin se kishte përvetësuar bazën materiale dhe sorollatjes së Skënder Gegës, presidenti u shfaq me ish-trajnerin e Luftëtarit, të cilit i vuri letrat përpara, ndërkohë që e arsyetojë edhe vendimin. Sipas tij, Milinkoviç i kishte garantuar të tre trofetë e sezonit dhe e para ishte Superkupa, madje që nuk quhej as trofe, pasi përballë do të kishte Tiranën e Kategorisë së Parë. Trajneri serb, të cilin më parë e përfolën si zëvendësues të Starovës tek Partizani, dështoi me sukses që në start dhe Gjici kishte të drejtë ta gjente me vështirësi, një nga portat e “Selman Stërmasit” ku shkruhej “Exit”.

Por Milinkoviç bëri edhe një tjetër premtim të bujshëm, këtë rradhë duke mos e vrarë mendjen as për të qenë pak modest. Deklaroi me zë të lartë, se kishte ardhur për ta ndryshuar me themel lojën e Kukësit, me qëllimin për ta bërë atë më të bukur. Pra nuk do të kishte më topa të gjatë për të gjetur një si Pejiç në majën e sulmit, por qarkullim të dëndur të tij, pra një tip “tiki-taka” dehëse për kundërshtarët. Kështu, misioni ishte të ndërrohej me themel mënyra e lojës së Gjokës, pavarësisht se më atë filozofi, kampionët nuk u mundën asnjëherë në 35 nga 36 ndeshjet e kampionatit të kaluar. Ndërsa ndaj Tiranës, Kukësi i ri e kishte të vështirë të kalonte mesin e fushës, futbollistët nuk i bënin dot 2-3 pasime bashkë, ndërsa kundërshtarët, përpara se të shënonin shpërdoruan edhe nja 10 raste, për ta bërë më parë një gjë të tillë. Pra, nëse ishte “bio” ose jo suksesi I Këksianëve sezonin e shkuar, kjo është ende çështje e hapur, por Milinkoviç nuk kishte ndryshuar asgjë për ta bërë më të bukur.