Arbnor Muja do të vijojë të jetë pjesë e Sint-Truidenit. Klubi belg ka zyrtarizuar qëndrimin e sulmuesit anësor shqiptar, i cili sezonin e kaluar ishte pjesë e skuadrës në formën e huazimit nga Samsunspori.
27-vjeçari la gjurmë të rëndësishme në sezonin e kaluar, duke realizuar gjashtë gola dhe një asistim në 28 ndeshje me fanellën e Sint-Truidenit. Paraqitjet e tij ndihmuan ekipin belg të siguronte një rezultat historik, duke e mbyllur kampionatin në vendin e tretë dhe duke fituar të drejtën për të marrë pjesë në kualifikimet e Ligës së Europës. Drejtuesit e klubit kanë vlerësuar maksimalisht kontributin e Mujës dhe kanë shprehur kënaqësinë për vazhdimin e bashkëpunimit.

