Mesit nuk i hiqet dënimi, Barça merr tjetër lajm të keq pas (gati) turpit në Kupë!

Humbi dy penallti dhe pati nevojë për 120 minuta që të kualifikohej në Kupën e Mbretit në fushën e një skuadre të kategorisë së tretë, si Korneja (Cornella). Barcelona rrezikoi shumë dhe nuk ndjeu ndonjë lehtësim të madh që ia doli mbanë në një stadium që mban vetëm 1 500 spektatorë, veçse telashet nuk mbarojnë lehtë. Menjëherë vjen lajmi se Lionel Mesi do të mbetet i dënuar, pasi apeli sportiv i futbollit spanjoll e la në fuqi përjashtimin me 2 ndeshje pas kartonit të kuq të marrë ndaj Bilbaos në Superkupë. Kapiteni e shleu një ndeshje dënim ndaj Kornejës në Kupë, ndërsa nuk do të jetë në fushë këtë fundjavë ndaj Elçes në La Liga. Trajneri Kuman e ka të qartë se çdo të thotë të luash pa Mesin, qoftë edhe në një ndeshje relativisht të lehtë, siç ndodhi në Korneja. Në një distancë vetëm 10 minuta nga “Kamp Nou”, “blaugranët” gabuan penalltitë me anë të Pjaniçit e Dembelesë dhe shpëtuan me golat e Dembelesë e të Brejthuejtit. “Nuk është serioze që humbëm dy penallti” – u ankua Kumani.

Sfidanti.al