Mbetet apo ikën Ahmataj tek Tirana? Përtej fatit të trajnerit, klubi i lavdishëm po rrëzohet!

Pas Korçës ja ku erdhi goditja edhe në “Selman Stërmasi”. Ende nuk kuptohet qartë se ku do të ndalet rënia e Tiranës në këtë moment të sezonit, por zërat në klub informojnë se pozitat e trajnerit Julian Ahmataj janë dobësuar ndjeshëm dhe se pritet të ketë ndryshime. Presidenti Halili mësohet se u largua i mërzitur në fund të ndeshjes, dhe u mbyll në zyrën e tij në stadium, ku është edhe selia e klubit, ndërsa njoftohet se ai është i zhgënjyer dhe pret edhe dorëheqjen e trajnerit.

Gjithsesi, burimet pranë teknikut bëjnë me dijë se dorëheqje nuk pritet të ketë, pasi Ahmataj ka shumë pak kohë në stol. Atëherë mbetet të shihet sesi do të shkojë derbi ndaj Partizanit, e nëse do të ketë humbje, kjo mund të rezultojë fatale. Bledar Devolli, trajner i ekipit të të rinjve të Tiranës, jepet si kandidat kryesor për ta zëvendësuar Ahmatajn, madje ai pretendonte të caktohej trajner që pas largimit të Ardian Memës. Ka informacion nga stafi teknik i akademisë bardheblu se ish-trajneri i Kastriotit mbeti madje i ofenduar që nuk u emërua ai në detyrë pak javë më parë.

Historia e Ahmatajt tek Tirana u ndërlikua së tepërmi me deklaratat e bëra pas humbjes në fushën e Skënderbeut. Sa për presidentin Halili, ai është shprehur edhe në kohën e ish-trajnerit Mema, që preferon dorëheqjet ndaj shkarkimeve, me gjasë për arsye financiare. Përtej problemeve të individëve të veçantë, kjo situatë e rëndë me stolin po dëmton vetë Tiranën që ka zbritur në vendet e fundit në renditjen e Superligës.

Sfidanti.al