Liverpul fiton derbin anglez, Siti mbetet jashtë Championsit

Derbin anglez në Champions e fitoi Liverpuli. Skuadra e Jurgen Klopit doli “gjallë” nga stadiumi “Etihad”, ndërsa u ndihmua nga fitorja 3-0 në ndeshjen e parë çerekfinale. Mançester Siti luajti një pjesë të parë të mrekullueshme, duke shënuar që në minutën e dytë me anë të brazilianit Gabriel Zhezus, asistuar nga Stërling, por nuk e mbajti këtë ritëm në të dytën.

Të kuqtë ishin hija e vetvetes përpara pushimit duke realizuar vetëm një gjuajtje drejt portës, pikërisht në minutën e fundit me anë të Okslejd-Çembërlenit, ndërsa vendasit gjuajtën të paktën 10 herë, disa prej tyre në kuadrat.

Siti ishte sërish i pafat me një gol të anuluar pa të drejtë ndaj Leroi Sanesë në pjesën e parë. Ndihmësi i gjyqtarit dha pozicion jashtë loje duke menduar se ishte Gabriel Zhezus që pasoi topin për Sanenë, por në të vërtetë ishte Milner i Liverpulit.

Gjithsesi, ish-arbitri, Graham Poll, u shpreh se goli u anulua me të drejtë pasi Sane ndikoi në lojë, në çastin kur portieri mik, Karius, doli të grushtonte topin. Pas këtij momenti, skuadra vendase humbi edhe trajnerin Pep Guardiola, që u përjashtua për protesta, dhe mungesa e katalanasit padyshim ndikoi.

Pas pushimit, gjërat ndryshuan, siç duket pasi Jurgen Klop u foli fort lojtarëve të tij, të cilët reaguan. Barazuan me anë të Mohamed Salahut në minutë ne 56-të, dhe shënuan golin e dytë me autor Roberto Firminon në 77’. Salah është i përfshirë në 50 gola të Liverpulit këtë sezon.

Me këtë eleminim, Sitit i mbetet të gëzohet për Premier Ligën dhe Kupën e Ligës, ndërsa Liverpuli shpreson që të ketë një tjetër triumf europian, pas atyre të viteve 1977, 1978, 1981, 1984 e 2005. Nuk do të jetë aspak e lehtë, por me një emër të madh dhe me një trajner si Klopi gjithçka mund të ndodhë.

Sfidanti.al