Kukësi, Flamurtari… dhe FSHF, humbësit më të mëdhenj të sezonit

Nuk është e thënë që humbjet të jenë gjithmonë fatale, ose të paktën jo në futbollin shqiptar. Me barazimin e djeshëm në “Zeqir Ymeri”, kuksianët humbën gjithçka në fushën e lojës, përsa u përket objektivave të sezonit. Kampionët e vendit e nisën edicionin me ndryshimin e pankinës dhe trajneri i ri, Milinkoviç, i mbërritur me shumë bujë nga Gjirokastra, i premtoi presidentit Gjici që në ditën e prezantimit, se jo vetëm do ta bënte lojën e Kukësit më të këndëshme, por edhe do t’i sillte të tre trofetë në vitrinën e tij. Por menjëherë pas ceremonisë së dorëzimit të çelësave të pankinës, skuadra e drejtuar nga trajneri serb humbi Superkupën, në një finale me Tiranën e Kategorisë së Parë, u eleminua nga Laçi në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, por tashmë nën drejtimin e austriakut Pakult, si dhe ndodhet në kampionat 12 pikë pas Skënderbeut kryesues, kur kanë mbetur edhe shtatë ndeshje për t’u luajtur. Por për ironi të fatit, me një denim të mundshëm të Skënderbeut, pikërisht Kukësi do të na përfaqësojë në vitrinën e futbollit europian, Champions League.

Megjithëse shpresuam të kundërtën, Flamurtari nuk mundi të ishte ndryshe, përveçse vuajti nga e njëjta sindromë, si në të gjithë dekadën e fundit. Gjatë kësaj periudhe janë ndërtuar skuadra të kushtueshme gjatë merkatos së verës, të cilat kanë bërë mirë në një pjesë të shkurtër të sezonit dhe më pas janë shpërbërë sikur të mos kishin qenë kurrë. Në fund mbetet gjithmonë po e njëjta deklaratë optimiste: “Flamurtari nuk vuan nga problem financiare”… Gjithsesi në Vlorë, deri tani askush nuk e ka gjetur dot se pse skuadra e tyre vazhdon të vuajë nga kjo sëmundje e çuditshme, që i është kthyer në kronike. Megjithatë edhe Flamurtari i ka ende gjallë shpresat për të na përfaqësuar në Europë, por me të njëjtin kusht, që korçarët të marrin atë penalltinë e paralajmëruar nga UEFA.

Ndërsa FSHF-ja është imune nga çdo lloj humbje, pavarësisht se sa të thella janë ato. Të gjithë në atë institucion e kanë marrë me shumë sportivitet, faktin që futbolli shqiptar, me shumë mundësi do të humbasë kampionët e vet, pjesën më përfaqësuese të tij. Shpikën një dënim për Skënderbeun dhe humbën një gjyq në Lozanë. I sajuan ca letra Tiranës, por përfundimi është se nuk ja hodhën dot UEFA-s, por as bardhebluve nuk i dhanë asnjë ndihmë. FSHF nuk po fiton dot gjyqin, as për zgjedhjet e veta që organizoi në plazh gjatë dimrit. Ky institucion është simboli i një humbësi të madh, por që nuk humbet prej 16 vjetësh.