Kristiano Ronaldo kalon edhe mitin Pele, më shumë gola në kombëtare se legjenda!

Mund të mos jetë lojtari më i talentuar në botë, por padyshim është më ambiciozi, dhe më i kompletuari nëse do të marrim parasysh fizikun, personalitetin dhe teknikën. Kristiano Ronaldo, si një makineri jonjerëzore, kaloi një tjetër “cak kilometrik”, dhe çfarë caku, mitin e madh Pele. Portugezi shënoi 3 gola në portën e Ishujve Faroe, në ndeshjen eleminatore të Botërorit, dhe arriti në kuotën 78 për ekipin përfaqësues. Legjenda e Brazilit, në kohën e tij, u ndal në 77. Natyrisht, kjo nuk është e gjithë e vërteta, pasi rekordet duhen matur edhe në mënyrën amerikane, pra në mesataren gola për ndeshje (apo pikë për ndeshje). Pele shënoi 77 herë në vetëm 92 ndeshje, me një mesatare tepër të lartë, ndërsa Ronaldos iu deshën 144 ndeshje.

Po ashtu, CR7 nuk besohet kurrë që të arrijë rekordin e golave në total në karrierë të Pelesë, që është 1281 rrjeta në 1363 ndeshje, por as ata të ndeshjeve zyrtare, me 727 rrjeta në 786 takime. Ronaldo është në kuotën 608 gola në 865 përballje.

Përsa i përket rekordit botëror të golave me kombëtaret, në vend të parë është Ali Daei i Iranit me 109 të tillë, ndërsa Ferenc Pushkash i Hungarisë ka 84.

Sfidanti.al