Merr fund “Saga Mbape”, huazim në pritje të transferimit 180 milionë eurosh tek PSG

Nuk erdhi shumë e papritur, pasi ishte shkruar e zeza mbi të bardhë. Gjithë bota e dinte se Kilian Mbape do të shkonte në kryeqytetin e Francës për të luajtur me Paris SG. Thjesht, pritej se mos ndodhte ndonjë e papritur e madhe, pra e kundërta, që do të ishte tronditje më e fortë sesa 180 milionë eurot që PSG pritet t’i japë Monakos vitin e ardhshëm, pasi këtë vit e ka marrë si huazim. Klubi parizien menjëherë hodhi në faqet zyrtare foto të 18-vjeçarit me fanelën kuqeblu, dhe me sfondin e PSG-së, foto që ose duhet të jenë montazhe dhe përpunime, ose Mbape është lejuar të kryejë këtë ritual brenda në stadiumin “Stad dë Frans” ku po luante me kombëtaren kundër Holandës.

Mbape u lind dhe u rrit në lagjen Bondi të Parisit, pra u kthye në qytetin e tij duke shprehur gjithë krenarinë për këtë gjë. Megjithatë, nuk mundi t’i shpëtonte deklaratave të bëra bozë, që në filmin shqiptar “Ballë për Ballë” quhen “tërci e vërci”. “Jam krenar dhe i lumtur që jam tek Paris SG, për një djalë të ri nga Parisi është ëndërr të veshë fanelën kuqeblu (çdo të thoshte po të shkonte tek Reali?!), doja të isha pjesë e këtij projekti (!!!), që është ndër më ambiciozët në Europë”.

Sfidanti.al