Franca fillon të fusë frikën, por edhe Luksemburgu, Estonia dhe Qipro!

Futboll dinë të luajnë të gjithë. Ky është një refren që, edhe pse duket i dalë mode, nuk është për t’u hedhur poshtë. U vërtetua në ndeshjet e fundit të eleminatoreve të Botërorit në Europë ku ndodhën të papritura të mëdha. Luksemburgu nuk ditka të mundë vetëm Shqipërinë, siç bëri në miqësore, por mposhti edhe Bjellorusinë madje në takim zyrtar. Vendosi goli i shënuar nga Daniel Da Mota në 60’ dhe luksemburgasit kanë shpresë të lenë pikërisht bjellorusët në vend të fundit, e vetë të jenë të parafundit.

Në këtë grup, gjithsesi, si superfuqi dalë nga dalë po shfaqet Franca. Pavarësisht nga pretendimet e zbehta të Holandës, dhe konkurrimi jo shumë bindës i Suedisë, “gjelat” dolën fuqishëm në vend të parë. Në “Stad dë Frans”, Holanda u mposht 4-0 me gola të shënuar nga yjet e shkëlqyer si Antuan Grizman, Tomas Lemar (dy) dhe Kilian Mbape. Benzema, mesa duket, nuk do të ketë më vend në ekipin e Deshampit që kryeson grupin A me 16 pikë, ndaj 13 të Suedisë, 12 të Bullgarisë (mundi 3-2 pikërisht suedezët) dhe 10 të Holandës.

Dy të papritura në grupin H. Greqia u ndal në Athinë nga Estonia në një barazim 0-0. Bosnjë-Hercegovina u shtang në Qipro, edhe pse kryesoi fillimisht. Ballkanasit realizuan dy gola me anë të Toni Sunjiçit dhe Edin Vishçës, por qipriotët grekë përmbysën rezultatin me rrjetat e Kristofit, Labanit dhe Artimatasit shënuar për 11 minuta (65’-76’). Belgjika natyrshëm që nuk pati problem me Gjibraltarin debutues, duke e mundur 9-0, me tri gola të Tomas Mënierit, dy të Romelu Lukakut dhe dy të Aksel Vicelit. Belgjika kryeson me 19 pikë ndaj 13 të Greqisë e 11 të Bosnjë-Hercegovinës.

Në grupin B, pavarësisht golave të Ronaldos, kreun vazhdon ta mbajë Zvicra që mundi 3-0 Andorrën, ku shënuan dy herë Seferoviç dhe një herë Lihtshtajner. Titullarë ishin Admir Mehmedi, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, ndërsa Behrami me Xhemailin ishin në stol dhe nuk u aktivizuan. Portugalia mundi 5-1 Ishujt Faroe, ndërsa Hungaria kaloi 3-1 Letoninë. Zvicra ka 21 pikë të plota, Portugalia 18, ndërsa Hungaria është larg me 10.

Sfidanti.al