Kombëtarja dhe kampionati, duket sikur ekzistojnë në kohë të ndryshme…

Ata që përbëjnë Kombëtaren tonë u shpërndanë tashmë, pasi zhvilluan dy ndeshje shumë të ndryshme, por pas një trajtimi shumë komod. Ndërkohë që tashmë pritet rifillimi i kampionatit, për të cilin askush nuk ka ndërmend të presë dhe të mendojë për trajtime dinjitoze. Ky i sivjetshmi, nëse vazhdon me të njëjtin ritëm është shumë pranë një rekordi autentik për nga shpejtësia, pasi në vetëm shtatë ditët e para ka përshkuar më shumë se 1/3 e fazës së parë. Ndërkohë që duke qenë larg vëndjes, për hir të interest të pakët të shefave, vetëm tani është konstatuar që kullat e prozhektorëve të disa stadiumeve janë të papërshtatshme për të garantuar ndriçim të plotë për një ndeshje futbolli, kështu që ia fikën fare dritat. Duke filluar që nga nesër, ndeshjet do të luhen në orën 16:00, ndërkohë që nuk dihet as fati i derbit.

Për të kuptuar se sa të ndryshme janë standartet kur flitet për trajtimin e ekipit Kombëtar dhe futbollit të vendit, mjafton të përmendim një vendim të shpejtë të marrë nga drejtuesit e FSHF-së. Një ditë përpara ndeshjes Shqipëri – Islandë u hoq kushti që biletat duhet të ishin të personalizuara dhe për hir të shitjes së pakët deri në atë kohë, gjithkush mund të shkonte në dyqanet e federatës dhe të blinte bileta, pa pasur nevojë të linte të dhënat personale. Ndërsa për ndeshjet e kampionatit askush nuk shqetësohet për numrin gjithnjë e në rënie të tifozëve, madje kjo tendencë stimulohet edhe me oraret e papërshtatshme të ndeshjeve.

Këtë fundjavë fillon edhe Kategoria e Parë, ku marrin pjesë skuadra që dikur kanë bërë histori, ndërkohë që përfaqësojnë qytete nga më të rëndësishmet e vendit. Këtu situata është edhe më e rëndë, pasi janë një mori stadiumesh të palicensuara dhe disa ekipe do të jenë të detyruar të qëndrojnë gjithmonë me bagazhe gati, pasi do t’I zhvillojnë ndeshjet e tyre ku të gjejnë stadium të lira. Pra ajo që u shpërnda ishte Kombëtarja, këto që fillojnë janë kampionatet, të gjitha tonat sigurisht, por të vlerësuara sikur ekzistojnë në kohë të ndryshme.