Partizani “falenderon” FIFA-n për Çinarin, por a mund ta ketë në derbi?!

Një lajm i madh në prag të një ndeshjeje të madhe. FIFA lumturon Partizanin duke e lajmëruar se mund të aktivizojë me efekt të menjëhershëm sulmuesin Eraldo Çinari. Futbollisti shkodran ishte i pezulluar që kur klubi shqiptar u dërgua në gjyq në FIFA pikërisht për shkak të transferimit të Çinarit, për të cilin kishin pretendime klubi spanjoll Alavesh dhe ai kroat i Istrës.

Për këtë arsye, Partizani u dënua nga qeveria botërore e futbollit që të mos bënte përforcime verën e kaluar, ndërsa të kuqtë fituan më pas gjyqin me FIFA-n në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës. Këtë të enjte luhet derbi i kryeqytetit dhe nuk është e qartë nëse trajneri Ilir Daja do ta ketë sulmuesin në përbërje të skuadrës. Çinari është një lojtar shumëplanësh, pasi mund të luajë në të dy krahët e sulmit, si qendërsulmues apo edhe i tërhequr më prapa në mesfushë. Ai ka shënuar 21 gola e ka shërbyer 4 asistë në 65 ndeshje për Partizanin, që kur erdhi në kryeqytet në verën e vitit 2018.

Sfidanti.al