Alvarez, Laporta thumbon Atleticon

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka rikthyer në vëmendje çështjen e transferimit të dështuar të Julián Álvarez-it dhe ka kritikuar hapur qëndrimin e Atletico Madridit gjatë merkatos. Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të klubit, e cila zgjati më shumë se 10 orë, Laporta tregoi se fillimisht kishte pasur kontakte normale mes dy klubeve dhe më pas një bisedë personale me Miguel Ángel Gil Marín. “Ai më tha se Julián nuk do të largohej, sepse nuk kishin një alternativë. Më pas reaguan në një mënyrë të papërshtatshme. Nuk e di nga se varej, mund ta imagjinoj, por nuk kam prova”, u shpreh Laporta. Sipas presidentit të Barcelonës, më pas nga Madridi nisën të vinin sinjale të qarta se sulmuesi argjentinas nuk do t’i shitej klubit katalanas. “Na vinin informacione se do ta shisnin tek të gjithë, përveç Barcelonës. Pastaj e hoqën maskën dhe e thanë hapur”, deklaroi Laporta.

Megjithatë, ai e konsideroi çështjen të mbyllur dhe u shpreh i kënaqur me organikën aktuale. “Julián është një çështje e së kaluarës. Jemi shumë të kënaqur me skuadrën që kemi dhe edhe trajneri është shumë i lumtur”, tha ai. Laporta foli edhe për identitetin katalanas të Barcelonës, duke theksuar se klubi duhet të jetë njëkohësisht i lidhur me Katalunjën dhe i hapur ndaj tifozëve në të gjithë botën. Një tjetër temë ishte kombëtarja spanjolle. Laporta mbrojti praninë e tij në Botëror, duke kujtuar se tetë lojtarë të Barcelonës ishin pjesë e Spanjës. “Barça e fitoi Botërorin. Ishte e rëndësishme që të isha atje si president i Barcelonës”, u shpreh ai.

Në fund, Laporta kritikoi kalendarin ndërkombëtar, duke thënë se ngarkesa e madhe e ndeshjeve po ndikon në përgatitjen e skuadrës. Ai konfirmoi gjithashtu synimin për të organizuar një homazh për Lionel Messin në “Spotify Camp Nou”, ndërsa mbrojti investimet e klubit në të gjitha seksionet sportive.