Me “atentatorin” Shkurtaj, Kukësi i Duros nis të trembë Superligën

Ndryshimet ndodhin çdo vit, por kjo skuadër mbetet e fortë, të paktën për nivelin shqiptar. Kukësi i këtij viti po shfaqet sërish pretendent për titull, madje e trembi jo pak Superligën me fitoren autoritare në Vlorë, 3-0 ndaj Flamurtarit. Edhe pse vlonjatët janë një “kantier i hapur”, sërish rezultati është i thellë, aq më tepër që Skënderbeu mezi ia doli ndaj tyre në sekondat e fundit në Korçë.

Çdo skuadër është edhe më e rrezikshme kur gjen njeriun-gol, dhe Kukësi e ka edhe këtë sezon. Ky është Vasil Shkurtaj, autor i dy rrjetave ndaj Flamurtarit, njeriu që shënoi edhe golin e fitores me penallti ndaj Partizanit në javën e parë. Të parin, madje, e pati krejt personal, ndërsa të dytin pasi ndoqi aksionin mes Rrocës e Maliqit.

Sikur të mos mjaftonin lojtarët që ka, Kukësi është forcuar edhe me Abazajn, që për fat të keq u rikthye në Superligë pas përvojave tek Anderlehti në Belgjikë dhe Osijeku në Kroaci. Ai debutoi për ekipin e trajnerit Shpëtim Duro në minutën e 65-të, dhe në të 73-ën dha asistin e golit të tretë, gol që duhej ta kishte shënuar sërish Shkurtaj, por që e bëri autogol Olsi Gocaj. Pas dy javësh, Kukësi është në krye me 6 pikë, po aq sa Skënderbeu, ndërsa ekipet e tjerë janë më prapa.

Sfidanti.al