Luftëtari përmbys Kukësin, por Partizani nuk “ndez” në Shkodër

U kthye shpejt tek niveli i zakonshëm. Luftëtari la pas humbjen e rëndë me Partizanin, duke arritur një nga ato rezultate që nuk mund të quhen më të papritura. Në fushën e tyre në kuadër të javës së 25-të, gjirokastritët lanë pas madje edhe fillimin e keq ndaj Kukësit, duke arritur t’i mundnin kampionët dhe të ngjiten fare pranë zonës europiane.

Golit të të zakonshmit Guri për miqtë, formacioni i trajnerit Hasan Lika iu përgjigj dy herë, fillimisht me Abazajn në fund të pjesës së parë, dhe pastaj me Liçajn në minutën e 64-ët. U shpërblye loja sulmuese e Luftëtarit, madje përballë njërit prej rivalëve më të fortë në Superligë, ekipit shumë në formë të drejtuar nga trajneri austriak, Peter Pakult. Kukësi, msa u duk, gaboi në menaxhimin e ndeshjes. Pjesa e parë ishte shumë e mirë për kampionët që patën mundësi të shënonin më shumë se një gol, por ky ritëm nuk u mbajt dot deri në fund.

Gjithsesi, për momentin kuksianët janë ende në pozita të forta, ndërsa njëri prej rivalëve për Europën, Partizani, nuk e kaloi dot me sukses të plotë provën në Shkodër. Përballë Vllaznisë, të besuarit e trajnerit Klevis Dalipi, bënë gjithçka, sidomos në pjesën e dytë, por mungoi gjëja kryesore, goli.

U humbën raste të pabesueshëm si ai i Bardhit, apo shansi i mirë i Malës, veçse një barazim në fushën e një skuadre të rrezikuar për rënie nuk është kurrë pak. Nuk gaboi pretendenti tjetër për Ligën e Europës, dhe as nuk pritej që ta bënte. Laçi triumfoi 3-1 në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjes, dhe e vetmja gjë që habiti paksa, apo ngriti dyshime, ishte kalimi në avantazh i vendasve. Pas pushimit, çdo gjë shkoi në vendin e vet.

Në renditje, Kukësi mbetet në 42 pikë, ndërsa Laçi, Luftëtari, Flamurtari, Partizani madje edhe Kamza janë shumë pranë, duke pretenduar që të gjithë për Europën.

Sfidanti.al