Flamurtari nuk lejon që Skënderbeu ta vrasë (plotësisht) Superligën

Fitorja ishte e vështirë, por u arrit dhe bashkë me të u arrit të ruhej vendi i dytë, të paktën edhe për një javë. Flamurtari mbetet anti-Skënderbeu në kampionatin shqiptar pas suksesit 2-0 ndaj Lushnjes, ndonëse në Vlorë vuajti më shumë sesa e mendonte. U deshën golat në pjesën e dytë nga mbrojtësi Ditmar Bicaj (65’) dhe në minutën e parë shtesë nga Danilo Alvesh, që të merreshin 3 pikët dhe të lihej Laçi në 5 pikë diferencë.

Nëse Partizani e Kukësi “vrasin” njëri-tjetrin me një barazim nesër në “Selman Stërmasi”, kjo do të luajë sërish në favor të skuadrës së trajnerit Shpëtim Duro. Specialisti tiranas, në rreth 1 vit punë në Vlorë ka sjellë ndryshime të mëdha, ndonëse loja e vlonjatëve nuk është nga më spektakolaret. Gjysmëfinale në Kupë dhe vend i dytë i sigurt në Superligë, janë arritje për një ekip që nuk ka vuajtur nga financat këta vjet, por ka vuajtur nga korrektesa e dhënies së pagave, nga gjyqet sportive, sherret e brendshme dhe ndryshimi i shpeshtë i lojtarëve dhe trajnerëve.

Me fitoren ndaj Lushnjes, Flamurtari ka 35 pikë, ndaj 46 të Skënderbeut, një distancë e madhe, por ende e tillë që (teorikisht) kampionati nuk mund të quhet ende “i vrarë”. Laçi ka 30 pikë me po aq ndeshje nga kuqezinjtë, Kukësi ka 29 dhe Partizani 28, me nga një ndeshje më pak.

Sfidanti.al