Italia tallet me Interin e Spaletit, ku do të përfundojnë zikaltërit?!

Një fitore në 10 ndeshjet e fundit nuk është një bilanc që të bën krenar. i tillë është Luçiano Spaleti me Interin e tij kohët e fundit. Ekipi që nuk bindte me lojë as kur ishte në krye të kampionatit, po bind edhe më pak tani, ndërsa mungesat e Ikardit e Perishiçit sërish mund të jenë justifikime për humbjen 0-2 në fushën e Xhenoas. Zikaltërit rrezikojnë të humbasin kualifikimin për në Champions, ndërsa për momentin shqetësimi më i madh është se skuadra e madhe ka humbur ekuilibrin dhe “busullën”.

Tifozët dhe anti-tifozët nuk u përmbajtën në rrjetet sociale. “Si mund të lihet i vetëm në zonë Ranokia?”, është njëra nga talljet. “Ranokia është futbollisti i preferuar nga tifozët …, por nga ata të skuadrave kundërshtare”, – nuk ia përton një tjetër.  Ja edhe një tifoz që shfryn apo tallet: “Napoli snobon Ligën e Europës për kampionatin, ndërsa Interi në të kundërt, snobon kampionatin, Europën dhe Kupën e Italisë, për t’u përqëndruar vetëm tek kujtimi i Tripletës së vitit 2010”.

Spaleti mund të mos jetë Murinjo ose Guardiola, por nuk është trajner për një ekip në vend të pestë në Serinë A. Duket se problem kryesor është pikërisht Interi, me drejtuesit e tij të çoroditur që nuk kanë ditur të ndërtojnë një skuadër fituese, ndërsa faji i Spaletit është se nuk arriti “t’i shkundte” në kohën e duhur.

Sfidanti.al