Salah, De Brujn e tani Pogba, Murinjo po gabon pak si shumë!

Mohamed Salah dhe Kevin De Brujn kanë qenë që të dy lojtarë të Zhoze Murinjos tek Çelsi. Trajneri portugez i largoi dhe mori në shkëmbim vetëm 34 milionë paund stërlina, pra jo më shumë se 40 apo 45 milionë euro, ndërsa sot ata janë ndër futbollistët më të shkëlqyer në Premier Ligë dhe në Europë.

Salah, padyshim mund të quhet zbulimi i momentit dhe në treg mund të vlente rreth 150 milionë euro, ndërsa De Brujn është organizatori më i mirë në Angli dhe një nga kryesorët në gjithë botën. Edhe ai do të vlente të paktën 150 milionë. Gabimi në gjykim i Murinjos është i qartë, ndonëse edhe ai njeri është dhe mund të gabojë.

Ja tani edhe rasti i Pol Pogbasë. Mesfushori francez, i marrë për nja 110 milionë euro, nuk luajti në fitoren në fushën e Hadërsfilldit në Kupën e Anglisë, ndërsa Murinjo u tregua mospërfillës kur e pyetën. “Nuk e di se përse nuk luan dhe as nuk më intereson të flas për këtë”, – ishin fjalët e trajnerit të Mançester Junajtidit kur u pyet përpara ndeshjes.

Po ashtu, ai nuk sqaroi nëse Pogba do të jetë gati për në Champions ndaj Seviljes. Gjasat janë që ylli i ardhur nga Juventusi po i jep fund karrierës në “Old Traford”, ndërsa përzgjedhja e tij dhe me kosto kaq të lartë, padyshim, është një tjetër gabim i kushtueshëm i portugezit.

Sfidanti.al