Demi-Starova-Laska, “gjaku s’bëhet ujë” tek Partizani-Laçi

Nëse ka dy klube që shkojnë mirë me njëri-tjetrin këta janë Partizani dhe Laçi. Shpesh është thënë se i kanë bërë ndere dhe i kanë dhënë ndihmë njëri-tjetrit, dhe duket se kështu ndodhi edhe këtë të shtunë. Ndeshja e Superligës në “Selman Stërmasi” përfundoi 1-1, madje u vendos nga dy penallti, nga një në secilën pjesë loje. Më parë, u dha 11-metërshi për Laçin dhe u shënua nga shkodrani Shtubina, ndërsa pak minuta para fundit, u akordua për kryeqytetasit, dhe u kthye në gol nga vlonjati Telushi.

Një treshe ishte e rëndësishme për këtë ndeshje, ajo e përbërë nga dy presidentët Gazmend Demi e Pashk Laska, si dhe nga trajneri i Laçit, njëkohësisht “Bobi i Partizanit”, Sulejman Starova. Ky rezultat lejon skuadrat që të ndjekin objektivat e tyre. Partizani ka 11 pikë epërsi me Kukësin, që mund të zbresë në 8 nëse skuadra e Gjokës fiton, ndërsa mbeten edhe 5 javë për t’u luajtur. Laçi mbetet në vend të pestë me 45 pikë, dhe shpreson të kapë Ligën e Europës, gjithnjë nëse kalon ndonjë nga skuadrat që ka përpara, ose nëse Kukësi fiton Kupën e Shqipërisë.

Sfidanti.al