Çfarë metamorfoze : Rebeli Sejdini e quan superfuqi presidentin Duka  

Një nga rebelët kundër “regjimit” të presidentit Duka, dinamoviti ndryshe, Farruk Sejdini, pikërisht në prag të “diktaturës” së pestë ( mandatit të pestë) nuk ka luajtur në sulm si përherë, por ka preferuar rolin klasik të mbrojtesit…atë që e kishte harruar prej kohesh.  I pyetur për zgjedhjet Sejdini ka thënë:

“ Unë do të thosha që Duka është bërë superfuqi. Ai tashmë ka krijuar personalitetin e tij, qoftë edhe klanet e tij me gjithçka. Ai thotë se duhet të dalë një njeri me një projekt më të zhvilluar se të tijin që ta lëshojë postin. Por, si mund të ketë një njeri me projekt më të mirë se Duka kur ai ka paratë, ka një staf dhe gjithçka duhet për këtë punë.

Sikur unë të kandidoj, çfarë projektesh mund të kem nëse kandidoj kur nuk kam asgjë në torbë, apo trastë?! Ai do të ikë vetëm nëse politika do të jetë dakord që të largohet. Siç është rasti i Bashkim Finos. Në rast se ai do kandidojë dhe politika do të jetë dakord që ta bëjë këtë dhe të konkurrojë denjësisht, unë personalisht mendoj se mund ta bëjë këtë gjë, atëherë mundet që të mos zgjidhet Duka.

Në rast se politika nuk e ‘ushqen’ këtë gjë duke qenë se të gjithë kryetarët e bashkisë komandohen prej saj me një urdhër për të votuar apo jo Dukën, atëherë nuk mund të ketë ndryshim. Unë them se shefat e klubeve janë gjithmonë në varësinë e Dukës për të bërë një fushë, apo për një favor të caktuar, apo për t’u falur një gjë ose një tjetër. Prandaj, vetëm politika mund ta prishë këtë varësi.

Marre nga Panorama Sport