Arbitri Xhaja, dy penallti për 1 minutë, sulmuesi Balaj, 2 gola në 4 minuta!

E njihni arbitrin Juxhin Xhaja? Deri para ndeshjes Kukësi-Vllaznia ishte një gjyqtar i panjohur nga publiku, pas asaj që ndodhi, dy penallti brënda një minute, është futur  me prepotencë në kujtesë. Dhe me meritë, për saktësinë e vendimeve dhe aspak për një lajthitje që e “prangosi” tek pika e bardhë e penalltisë.  Edhe pse pa emrin e madh dhe autoritetin e një arbitri fuqiplotë në fushë, Xhaja, 26 vjeçar, në harkun e 60 sekondave ka bërë një histori, që vlen për të përmirësuar imazhin e goditur të arbitrave.

Edhe pse një nga 11 metërshat dukej si një ekuacion në pamje të parë, arbitri paska pikasur në detaj dinamikën e aksionit: Mbrojtësi ka goditur këmbën e sulmuesit fillimisht dhe këmba, ka goditur më pas topin. Sidoqoftë, një kurajo e admirueshme e Juxhinit, që zbuloi se nuk vuante nga kompleksi tradicional “ jep njërën dhe mos e tepro me tjetrën”.

Ka patur komente të ndryshme për shpejtësinë e Xhajës në dhënien e dy penalltive, por fraza e Bujar Pregjës, kujdestarit të arbitrave në maviolë, ia vlen të dëgjohet: “ Xhaja, dy penallti për 60 sekonda, më i shpejtë se sulmuesi Balaj, që shënoi 2 gola për 4 minuta në portën e Zenitit të famshëm, në kampionatin rus”.