Një mbrëmje e madhe për futbollin shqiptar. Egnatia mund 5-1 Shamrock Rovers në Rrogozhinë, përmbys disavantazhi (3-1) të ndeshjes së parë dhe kualifikohet në fazën e Play Off-it të Europa League, aty ku e pret Lilestromi.
Me këtë sukses kampionët e Shqipërisë kanë siguruar pjesëmarrjen në fazën e Ligës në Conference League, edhe sikur të eliminohen nga norvegjezët në Play Off-in e Europa League.
Djemtë e Nevil Dedes kanë nisur në mënyrë të shkëlqyer ndeshjen, duke zhbllokuar menjëherë sfidën me Daniel Adjesën, që shënon pas vetëm 4 minutash lojë. Gruda ka një shans të artë për të dyfishuar shifrat, ndërsa rrezikojnë edhe Loukili dhe Fernando. Goli është në ajër dhe vjen shumë shpejt me Albanesen që dyfishon shifrat në minutën e 11-të. Pak minuta më vonë është Gruda, ai që shënon golin e tretë, ndërsa Adjesa realizon golin e dytë personal dhe të katërtin për Egnatian.
Në minutat shtesë të pjesë së parë, Ndreca ndëshkohet me karton të kuq, duke lënë Egnatian me 10 lojtarë në fushë.
Albanese shënon sërish në pjesën e dytë, goli i dytë personal dhe i pesti për rrogozhinasit. Burke ngushton shifrat për irlandezët në minutën e 70-të.
Ndërkohë Dinamo bën një tjetër paraqitje të madhe në “Elbasan Arena”, mposht me rezultatin 4-0 Audën dhe kualifikohet në fazën e Play Off-it të Conference League, aty ku e pret Pafos.
Djemtë e Ilir Dajës përmbysin disavantazhin e ndeshjes së parë (ishin mundur 1-0 në Letoni) dhe vazhdojnë rrugëtimin e tyre në Europë.
Qardaku zhbllokoi ndeshjen në minutën e 36-të, Qefalia dyfishoi shifrat në minutat e fundit të pjesës së parë. Ayodeji shënon për blutë në fillimin e pjesës së dytë, ndërsa Fadairo vulos fitoren 4-0 të Dinamos.
Në Play Off, Dinamo do të përballet me qipriotët e Papos.

