Sulmuesi shkodran Kevin Dodaj është pranë transferimit te Lechia Gdańsk në Poloni. 20-vjeçari pritet të largohet nga CSKA Sofia, ndërsa marrëveshja mes klubeve raportohet se është arritur për rreth 650 mijë euro.
Dodaj pritet t’u nënshtrohet vizitave mjekësore dhe më pas të firmosë kontratën me klubin polak, duke e bërë zyrtar kalimin e tij në kampionatin polak.
Nga ky transferim do të përfitojë edhe Vllaznia. Klubi shkodran zotëron 15% të kartonit të lojtarit, çka përllogaritet t’i sjellë rreth 100-mijë euro nga shitja e tij. Ndërkohë, CSKA Sofia do të mbajë 20% të kartonit, duke ruajtur të drejtën për të përfituar nga një transferim i ardhshëm.
Dodaj u largua nga Vllaznia për t’iu bashkuar CSKA Sofias, ndërsa sezonin e kaluar u rikthye në Shkodër në formën e huazimit. Në sezonin aktual, sulmuesi nuk ka qenë pjesë e planeve të klubit bullgar dhe nuk ka pasur minuta në kampionat apo në kompeticionet europiane.
Nëse kalimi përfundon me sukses, Dodaj do të nisë një aventurë të re në Poloni, ndërsa Vllaznia do të arkëtojë një shumë të konsiderueshme nga rishitja e një prej talenteve të formuar në akademinë e saj.

