Hakmarrja e Bajernit, në stadiumin bosh, nën sytë e “Kaizer Francit”!

Atmosferë tepër e çuditshme e deri pikëlluese në “Alianc Arena”. Impianti i mrekullueshëm, hapur në 2005-ën, zakonisht ka qenë 100 për qind i mbushur me tifozë, por këtë herë ishte një zbrazëti e akullt me vetëm 300 njerëz gjithsej. Sidoqoftë, në përfundim të duelit Bajern-Frankfurt, të gjithë u ndjenë nxehtësisht të lumtur, pasi fitorja 5-2 ishte e madhe. Iu dha përgjigje Dortmundit, që kishte fituar 2-0 në Volfsburg, dhe ishte afruar në vetëm 1 pikë.

U realizua hakmarrja për katastrofën 1-5 në Frankfurt në fazën e parë, që solli shkarkimin e Niko Kovaçit dhe emërimin e Hans Flikut. Po ashtu, pesë golat u shënuan nga 4 autorë të ndryshëm, plus një autogol. Gorecka, Myler, Levandovski dhe Dejvis ishin realizuesit, gjë që tregon se Bajerni nuk ka nevojë për një shpëtimtar të vetëm. Mes njerëzve që u ndodhën në “Alianc Arena” ishin edhe emra të shquar si shefi ekzekutiv Rumenige, anëtari i bordit Oliver Kahn, presidenti Hainer, si dhe dy presidentët e nderit, Uli Hënes e Franc Bekenbauer. “Kaizer Franci” ishte në stadium pas një mungese të gjatë për arsye shëndetësore.

Sfidanti.al