De Ligt, sa vështirë për të zgjedhur: Barça, Junajtid, Liverpul, Juve …

Dikur, aktori i pavdekshëm i humorit, Çarli Çaplini, thoshte se “për disa njerëz, që arrijnë të jenë të pasur, jeta është shumë e bukur”. Njerëzimi ëndërron që të gjithë ta kenë jetën të lumtur, pa qenë nevoja të jenë të pasur, por shprehja e Çaplinit të madh mbetet aktuale, ndërsa në rastin e një ylli të futbollit profesionist, si Matijs De Ligt, mund të ndryshohet: “Nëse je një talent i madh i futbollit, jeta jote mund të jetë shumë e bukur”.

Qendërmbrojtësi holandez është në këto pozita që tani, edhe pse vetëm 19-vjeçar, ndërsa e ka në dorë fatin e karrierës së tij. Kjo, pasi e duan të gjithë, ndërsa adoleshenti i Ajaksit mund të ndihet si një fëmijë në dyqanin e lodrave, për të zgjedhur më të bukurën. Barcelona ishte klubi i parë që u hodh për të, po ashtu Juventusi apo Mançester Junajtidi. Padyshim, Paris SG, ndoshta Reali, por tashmë flitet edhe për Liverpulin.

Jurgen Klopi është në gjendje t’i japë De Ligtit shansin që të luftojë për trofetë më të mëdhenj me klubet, Championsin dhe Premier Ligën, por edhe që të luajë në krah të shokut të tij te kombëtarja, Virgil Van Dajk. “Premier Liga është një konkurrim i madh, por unë nuk e kam ndarë ende mendjen, – ishin fjalët e qendërmbrojtësit pas ndeshjes me Anglinë në Ligën e Kombeve, – për mua, gjëja kryesore është që të luaj”.

Sfidanti.al