Taulant Seferi, gol dhe formacion i javës në Superligën e Zvicrës!

I mjaftuan vetëm pak muaj për t’u përshtatur. Taulant Seferi po luan sezonin e jetës në Superligën e Zvicrës, ndërsa kjo fundjavë i solli një lumturi të dyfishtë. Së pari me golin e parë shënuar me fanelën e Nojshatelit të Ksamaksit, dhe së dyti me përzgjedhjen në formacionin e javës. Lojtari i krahut të majtë, tashmë edhe pjesë e kombëtares shqiptare, realizoi rrjetën e barazimit 1-1, duke siguruar një pikë të vlefshme në fushën e Sionit.

Kjo bëri që të gjente vend mes 11 lojtarëve më të mirë të javës, në bazë të rolit në fushë. Edhe goli tjetër në këtë ndeshje u shënua nga një lojtar me origjinë shqiptare, dhe autori ishte Pajtim Kasami, që ka luajtur edhe me kombëtaren e Zvicrës.

Seferi është lojtar i Jang Bojsit, klub që zotëron edhe kartonin e 23-vjeçarit. Ai është huazuar disa herë në klube të tjerë të Zvicrës, si tek Vohleni, Vinterturi e tani tek Ksamaksi. Pasi luajti me kombëtaret e moshave të Maqedonisë, Seferi zgjodhi Shqipërinë, duke u thirrur në kombëtare nga trajneri Edi Reja.

Sfidanti.al