“Porta e thatë”, Bufonin e ndan nga rekordi i ri vetëm një pjesë loje

As edhe një pjesë e plotë ndeshjeje e ndan portierin e Juventusit, Xhanluixhi Bufon, nga një rekord tjetër në futbollin italian. Ky gardian veteran i portës nuk ka pësuar gol në 10 ndeshjet e fundit të Serisë A dhe duhet që të durojë edhe vetëm 43 minuta që të bëhet portieri që e ka ruajtur më shumë kohë rrjetën e tij të paprekur. Në raundin e radhës, më 31 mars, Juvja do të presë Milanin dhe Bufoni do të ketë detyrën e vështirë që ta ruajë të paprekur rrjetën e portës së vet.

Bufoni nuk ka pësuar gol në 10 ndeshje të njëpasnjëshme ose gjithsej 931 minuta, ndërkohë që, në ndeshjen e së shtunës së fundit me SPAL-in, ai kaloi arritjen e portierit të dikurshëm të Milanit Sebastian Rosi që, në sezonin 1993-1994, e ruajti të “thatë” portën e vet 929 minuta. Rekordi i deritanishëm i përket po vetë Bufonit që e ka vendosur atë gjatë sezonin 2015/16 dhe është 973 minuta. Në nivel botëror, rekordmen absolut është portieri brazilian Matos Mazaropi që e ka ruajtur të paprekur rrjetën e portës së tij me ekipin e Vasko de Gamës, gjatë sezonit 1992-1993, plot 1816 minuta!

Sfidanti.al