Vllaznia i ka dhënë lamtumirën Europës në mënyrën më të hidhur të mundshme, pasi u mposht me rezultatin e thellë 5-0 nga Malisheva në ndeshjen e kthimit të raundit të parë kualifikues të Conference League. Pas fitores dramatike një javë më parë në “Loro Boriçi”, ku shkodranët kishin përmbysur sfidën, askush nuk e priste një kolaps të tillë në Hajvali.
Skuadra e drejtuar nga Thomas Brdarić dominoi plotësisht takimin, ndërsa Vllaznia u shfaq pa ide, e brishtë në mbrojtje dhe e pafuqishme në sulm. Problemet në qendër të repartit defensiv u shfrytëzuan maksimalisht nga vendasit, të cilët krijuan raste të shumta që në minutat e para.
Protagonisti absolut i ndeshjes ishte Uka, i cili paralajmëroi golin në disa raste përpara se të zhbllokonte rezultatin në minutën e 34-t. Në fundin e pjesës së parë, Ibishi dyfishoi shifrat me një goditje me kokë, duke i dërguar skuadrat në pushim me rezultatin 2-0.
Në fraksionin e dytë, Malisheva nuk e uli ritmin. Uka realizoi golin e dytë personal në minutën e 52-të, ndërsa vetëm pesë minuta më vonë Veliu shënoi edhe të katërtin. Në minutën e 89-të, Dulaj vulosi fitoren e thellë 5-0, duke kompletuar një nga humbjet më të rënda të Vllaznisë në arenën ndërkombëtare.
Pavarësisht pretendimeve të shkodranëve për pozicion jashtë loje në disa raste të Ukës, mungesa e sistemit VAR nuk ndryshoi fatin e sfidës. Megjithatë, polemikat për arbitrimin nuk mund të fshehin paraqitjen shumë zhgënjyese të kuqebluve, të cilët ishin larg pritshmërive dhe nuk arritën në asnjë moment të rivalizonin me kundërshtarin.
Me këtë disfatë, Vllaznia eliminohet nga Conference League, ndërsa Malisheva siguron kualifikimin në raundin e dytë të kompeticionit.
Malisheva – Vllaznia 5-0
Golat: Uka 34’, 52’, Ibishi 45+2’, Veliu 57’, Dulaj 89’.

