Kumbulla mes 4 goditjeve të mëdha të Interit për të fituar titullin!

Lojtari më i rëndësishëm për Antonio Konten, të paktën për organizimin e lojës, e ka emrin Marcelo Brozoviç. Mesfushori kroat pritet të jetë shtylla e skuadrës së re të Interit, por ai ka nevojë për “krahë”, dhe klubi është gati për t’ia siguruar. Katër janë emrat që synohen dhe që pritet ta forcojnë ekipin milanez, mes të cilëve edhe Marash Kumbulla, qendërmbrojtësi i Veronës dhe i kombëtares shqiptare. Kartoni i 20-vjeçarit mund të arrijë në 20-25 milionë euro, të paktën kështu ishte përpara ndërprerjes së Serisë A.

Bashkë me të, edhe Toliso, Kieza dhe Emerson, e të katër bashkë pritet të kushtojnë diku rreth 130 milionë euro. Drejtori sportiv, Bepe Marota, shpreson t’i gjejë këto para edhe me ndihmën e transferimeve “për jashtë”, pra duke shitur kartonët e Ikardit, Naingolanit, Perishiçit, Zhoao Marios apo Lazaros. Më e vështirë duket të fitohen 70 milionë euro për Ikardin, për shkak të krizës së virusit, por edhe sepse kohët e fundit luajti pak tek Paris SG.

Sfidanti.al