Juvja e Sarrit: 40 gola të CR7-ës, De Ligt e Rabio, por jo Pogba!

Natyrisht, nuk është se do të mbetet pa u “martuar”. Pol Pogba ka admirues të shumtë dhe mjafton Reali sa për të gjithë, veçse nuk është lajm i mirë për kampionin e botës kur mëson se Juventusi me shumë gjasë nuk do ta kërkojë për skuadrën e tij. Trajneri Mauricio Sarri duket se i ka idetë tepër të qarta se çfarë skuadre kërkon për të realizuar objektivat.

Mediat europiane shkruajnë se trajneri i ri juventin foli në telefon me Kristiano Ronaldon, dhe përfundimi doli se biseda ishte taktike, dhe se Sarri garantoi CR7-ën që këtë sezon, me skemat e tij, do të shënojë 40 gola. Portugezi është me pushime në jaht, së bashku me familjen e tij, por si profesionist i vërtetë, ai e ka mendjen tek puna edhe kur ndodhte në plazh.

Po ashtu, Juventusi besohet se është më pranë holandezit De Ligt sesa mendohej. Bisedime qenkan zhvilluar me agjentin e tij, Raiola, dhe me Ajaksin, dhe klubi italian pritet të paguajë 70 milionë euro për kartonin e kapitenit amsterdamas, si dhe një rrogë nga 15 deri në 20 milionë euro në sezon, për 5 vjet kontratë. Këto para do të gjenden në një pjesë të madhe nga transferimi i mbrojtësit Kanselo tek Mançester Siti për 67 milionë euro, ndërsa Juvja do të ndihmohet nga fakti se Adrien Rabio vjen nga PSG-ja me parametër zero.

Sfidanti.al